E shtunë, 26 Shtator 2026 Film TV deri në 03:25 Në vijim ora 03:25: Lajmet e Fundit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

Atentati me tritol ndaj 67-vjeçarit në Shkodër, dalin para Gjykatës katër të arrestuarit

Katër personat e arrestuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 29 dhjetor, ku humbi jetën një 67-vjeçar si pasojë e shpërthimit të tritolit, kanë mbërritur në Gjykatën e Shkodrës.

Shtetasit Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi pritet të njihen sot me masën e sigurisë.

Hysni Ymeri, 67 vjeç, u vra më 29 dhjetor në një atentat me lëndë eksplozive. Sipas hetimeve paraprake, personi që dyshohet se vendosi tritolin është Gerti Bushati.

Ky i fundit është zbuluar përmes pamjeve të kamerave të sigurisë të instaluara në një biznes pranë pallatit. Ato tregojnë se mbrëmjen e 27 dhjetorit, Bushati vendosi tritolin në boksin e sahatëve të energjisë elektrike, në katin e parë të pallatit.

Lënda shpërthyese u aktivizua dy ditë më vonë, më 29 dhjetor, në momentin kur Hysni Ymeri po ngjitej shkallët e pallatit për të hyrë në shtëpi, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Por hetimet dhe analizimi i pamjeve të tjera filmike, bëri që grupi hetimor të zbardhë itinerarin e lëvizjes së autorëve, çka çoi në arrestimin e katër personave: Gerti Bushati, Ergys Ibrahimi, Edison Hasaj dhe Gjergji Zefi.

Policia ka ende pikëpyetje mbi motivin dhe porositësin e atentatit.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar 28 celularë, një automjet “Mercedes-Benz”, municion, lëndë narkotike kokainë, pajisje GPS, kamera sigurie si dhe veshje të përdorura nga autori i dyshuar.

Burime nga policia bëjnë me dije se pak ditë para ngjarjes në Shkodër kishte mbërritur edhe djali i viktimës, Alban Ymeri, i cili jeton jashtë vendit. Ai ka deklaruar para hetuesve se familja nuk kishte konflikte dhe se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.

Ndërsa personat e arrestuar kanë refuzuar të japin deklarime. Sipas burimeve, ata janë mbajtur së bashku në një ambient të monitoruar, në përpjekje për të zbuluar identitetin e porositësit të tritolit. Të ndaluarit pritet të dalin para gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ditën e hënë.

Vëllai i viktimës, në vitin 1995, në lagjen Kiras, vrau Shefqet Çekorjen. Autori u arrestua dhe u dënua në atë kohë. Disa vite më vonë, sipas burimeve, dy familjet arritën pajtimin. Shefqet Çekorja ishte vëllai i Ismet Çekores, i cili u vra në shtator të vitit 2022 pranë banesës së tij.

Vazhdo të lexosh