Kur flitet për humbjen e peshës, shumica fokusohen te dietat strikte ose eliminimi i ushqimeve të caktuara, por ekspertët theksojnë se fibra dietike mund të jetë një nga aleatët më të rëndësishëm dhe më të nënvlerësuar.
Fibra ndihmon jo vetëm tretjen, por luajnë edhe një rol kyç në kontrollin e oreksit dhe menaxhimin e peshës trupore, duke e bërë procesin e dobësimit më të qëndrueshëm dhe më të lehtë.
Sipas dietologëve, ushqimet e pasura me fibra krijojnë një ndjesi ngopjeje më të gjatë, duke ulur dëshirën për të ngrënë shpesh ose në sasi të mëdha. Fibra ngadalëson tretjen dhe stabilizon nivelet e sheqerit në gjak, çka ndihmon në shmangien e krizave të urisë dhe të ngrënit emocional. Kjo do të thotë se, pa numëruar obsesivisht kaloritë, njerëzit mund të konsumojnë më pak ushqim gjatë ditës.
Një tjetër përfitim i rëndësishëm është se fibra mbështet shëndetin e zorrëve dhe metabolizmin. Ajo ndihmon në uljen e kolesterolit, përmirëson ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe kontribuon në shëndetin e përgjithshëm, faktorë që lidhen drejtpërdrejt me kontrollin e peshës. Megjithatë, shumica e njerëzve nuk arrijnë të marrin sasinë e rekomanduar ditore të fibrave, e cila gjendet kryesisht te frutat, perimet, drithërat integrale dhe bishtajoret.
Ekspertët theksojnë se ushqimet e plota janë më efektive sesa suplementet, sepse përveç fibrave ofrojnë edhe vitamina, minerale dhe lëndë të tjera ushqyese. Shtimi gradual i fibrave në dietë, përmes zgjedhjeve të thjeshta dhe të përditshme, mund të bëjë një ndryshim të madh në mënyrën se si trupi reagon ndaj ushqimit.





