Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Hagës, ku do të takohet me ish-Presidentin e Kosovës Hashim Thaçit, i cili prej tashmë 5 vitesh ndodhet i izoluar nën akuzat për krime lufte.
Me anë të një videoje në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shprehet se ka ardhur momenti që ky gjyq absurd të marrë fund.
“Shkeljet e standardeve, shkeljet e të drejtave të njeriut, shkeljet e të gjitha normave të procesit të rregullt ligjor janë në fakt e vetmja normë që ka karakterizuar këtë farsë, ku ende pa u dënuar një president i zgjedhur demokratisht nga populli së bashku me tre bashkë luftëtarë që kanë mbuluar detyrat nga më të rëndësishmet në Republikën e Kosovës, mbahen mbyllur. Uroj, shpresoj, lutem që viti i ardhshëm të jetë viti i mbylljes së perdes së këtij teatri absurd të drejtësisë ndërkombëtarë dhe i daljes nga izolimi brutal i HashimThacit dhe i tre bashkëluftëtareve të tij”, tha Rama.
Sipas Ramës, vendet që sponsorizojnë gjykatën e Hagës duhet të nisin të reflektojnë.
“Uroj dhe shpresoj që vendet demokratike që sponsorizojnë këtë gjykatë të reflektojnë mbi standardet e ulëta, mbi nivelin shumë nën vijat e kuqe të një drejtësie demokratike të gjithë kësaj që prej vitesh po ndodh me njerëzit, të cilët të vetmin faj kanë se u rebeluan ndaj një regjimi satrap, të vetmin faj kanë se morën armët për të mbrojtur lirinë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë komentoi edhe samitin e së mërkurës në Bruksel, duke thënë se tashmë Shqipëria shihet me një qasje tjetër nga unioni.
“Do të vazhdojmë përpjekjet në luftën kundër atyre problemeve që këta kanë shumë dëshirë dhe zakon t’i përmbledhin tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por nuk është vetëm kaq, është shumë më tepër se kaq, shumë më komplekse se kaq dhe më vjen jashtëzakonisht mirë t’ju them që edhe një herë tjetër, pa modesti, ju kam nderuar”, tha Rama.
Shqipëria cilësohet si vend pararojë në procesin e integrimit, ku tashmë ka hapur të gjithë grupkapitujt e negociatave me BE-në.





