Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në të njëjtën kohë kryeministër në detyrë i Kosovës Albin Kurti, ka ftuar kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku për një marrëveshje politike mes dy partive.
Përmes një letre zyrtare, Kurti i kërkon Abdixhikut një koalicion qeverisës i cili do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.
Lexo edhe :
Related Posts
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetë të LDK-së së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, thuhet në letrën e Kurtit.
Kurti shkruan më tej se pavarësisht dallimeve të dyja palët duhet të kenë në prioritet të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve .
I pyetur nga mediat, Abdixhiku ka thënë se do ti përgjigjet ftesës zyrtarisht ndërsa iu kërkoi anëtarëve të partisë së tij që ta trajtojnë situatën pa arrogance.
“Më lejoni të shkoj deri në zyrë të lexoj letrën dhe me kohë do të përgjigjemi zyrtarisht siç na takon”, deklaroi Abdixhiku.
Më herët Abdixhiku kishte refuzuar një kërkesë për takim nga ana e Kurtit.
Ndërkohë ftesa zyrtare e Kurtit u bë publike menjëherë pas përfundimit të seancës së 11 të kuvendit të Kosovës e cila dështoi të konstituonte parlamentin e ri.
Deri më tani Albulena Haxhiu e propozuar nga vetëvendosje nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme për tu zgjedhur kryetare e kuvendit.








