Është Manchester City-Real Madrid, supersfidë që do të ndezë Europën futbollistike në fazën play off të Champions League. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës mes 16 ekipeve që u renditën në zonën e play off të fazës së ligës nga vendi i 9 deri në vendin e 24, nuk kurseu ashtu siç parashikohej përballjet mes gjigandëve. Manchester City, për shkak të formulës, donte të kapte nga goglat Realin ose Bajernin… rrugë tjetër nuk kishte.
Në fund, rekordmenët e Europës, kampionët në fuqi, u peshkuan si rivali i skuadrës së Pep Guardiolës, një ndeshje e madhe e cila i ka dhënë tonin futbollit kontinentale në vitet e fundit me shumë ndeshje spektakolare mes tyre.
Ndonëse në këtë edicion të dyja gabuan shumë në fazën e ligës, aq më tepër që anglezët kanë disa muaj që po vuajnë shumë. Merr frymë thellë Bajerni, që shmangu Citin dhe gjeti përballë Seltdik, një rival mëse i kalueshëm. Me fat Juventus dhe Milan.
Bardhezinjtë kishin vetëm dy alternativa si rivalë në play off, Milanin ose PSV. Në fund, Zonja e Vjetër gjeti skuadrën holandeze, të cilën e mundi në fazën e ligës 3 me 0, ndërsa Milani, pasi shpëtoi nga përplasja me bardhezinjtë, gjeti rivalin tjetër të mundshëm, Fejenordin, me të cilin po negocion blerjen e sulmuesit të tyre Himenez.
E pashmangshme në vijim të Champions, përplasja e Interit, ose me Juventusin, ose me Milanin. Me fat Atalanta e Berat Gjimshitit, e cila do të ketë përballë belgët e Club Brugge në play off, në kërkim të biletës për tu bashkuar me ekipet e tjera në fazën e 1/8 të Champions League.
Ndërkohë, Paris Sen Zhermeni do të përballet me derbin francez të play off me Brest, e cila bëri një fazë ligë mjaft interesante. Dy ndeshje të forta në letër dhe pa favorite të mëdhenj janë dy çiftet e fundit: Monaco-Benfica dhe Sporting Lisbonë-Borussia Dortmund. Duelet e para të play off do të luhen më 11 dhe 12 shkurt, ndërsa të kthimit më 18 dhe 19 shkurt. Përballjet do të transmetohen si zakonisht në Vizion Plus dhe Tring. 8 ekipet që do të kualifikohen do t’i bashkohen tetë skuadrave të para të fazës së ligës që kaluan direkt për në fazën tjetër të Champions.





