Situata e zjarrit në zonën e Frakullës në Fier është vënë nën kontroll, pas ndërhyrjes intensive nga toka dhe ajri. Deputeti i Partisë Socialiste, Ramion Kurti, i cili mbulon këtë zonë, tha se gjatë gjithë kohës situata është monitoruar nga Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.
Ramion Kurti: Situata tashmë është vendosur nën kontroll. Ne kemi qenë gjatë gjithë kohës në monitorim të situatës. Forcat e Armatosura, ushtria, Policia e Shtetit, zjarrfikësit kanë qenë të gjitha në terren. Tani në Frakull kemi vetëm një zonë aktive, e cila është në monitorim. Kanë qenë dy helikopterë dhe një avion që kanë operuar gjatë ditës.
Kurti bëri të ditur se ende nuk ka një bilanc paraprak për sipërfaqen e përfshirë nga flakët apo dëmet e shkaktuara. Megjithatë, ai theksoi se prioritet ka qenë mbrojtja e jetës së njerëzve dhe banesave.
Ramion Kurti: Për momentin nuk e dimë sa është sipërfaqja e përfshirë nga flakët. Për ne ka rëndësi jeta e njeriut dhe banesat. Fatmirësisht nuk kemi pasur dëme në banesa. Për pjesën tjetër do të ketë komisione të posaçme që do të bëjnë verifikimet e duhura.
Sipas deputetit socialist, në zonë nuk ka pasur persona të lënduar, ndërsa nuk janë raportuar as banesa apo njësi ekonomike të djegura. Pas shuarjes së plotë të vatrës aktive, komisionet do të dalin në terren për të vlerësuar dëmet.
Ndërkohë, Kurti deklaroi se Policia e Fierit ka identifikuar autorët e dyshuar të zjarrvënies. Një prej tyre, 50 vjeç, është arrestuar, ndërsa një tjetër, 91 vjeç, është proceduar penalisht.
Ramion Kurti: Ka dyshime që është një zjarrvënie e qëllimshme.
Në Frakull mbetet ende një vatër aktive nën monitorim.





