Mbyllen hetimet për operacionin “Revanshi” ku SPAK preu 50 fletëarreste për 7 grupe kriminale. Në pranga në 18 maj të vitit të shkuar përfunduan 30 persona, brenda e jashtë vendit, ndërsa 20 të tjerë nuk u arrestuan dot.
Prokuroria Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bashkë me EUROPOL e shtrinë operacionin në katër shtete të Europës, Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë.
Ndërsa, Sipas hetuesve, në Shqipëri ata e ushtronin aktivitetin kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Revanshi sekuestroi 4.5 milionë euro pasuri të luajtshme e të paluajtshme të ardhura nga aktiviteti i jashtëligjshëm i trafikimit të narkotikëve të 7 organizatave kriminale.
SPAK zbuloi se grupi kriminal i Ervis Martinaj, i zhdukur në gusht të tre viteve më parë, bashkëpunonte me grupin e ish- deputetit socialist, Arben Ndoka.
Hetimi gjeti se si u arrit të krijohej një organizatë kriminale e të dyve me Viktor Imerajn, Emiljano Shullazi, e të tjerë personazhe të botës së krimit për të vrarë Durim Bamin.
Nga ana tjetër, ky i fundit për tu hakmarrë, bëri aleatë vëllezërit Duka me qëllimin e vetëm për të ekzekutuar anëtarët e organizatës kundërshtare me në krye, bosin e bixhozit, Ervis Martinaj. Një detaj që Spak vë në dukje është edhe egërsia e dhunës që grupet kriminale ushtrojnë ndaj njëri – tjetrit.
Të 50 urdhërarrestet janë vendosur për akuza të rënda si, “vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “trafikim narkotikësh”, pastrim parash, të gjitha kryer në formën e posaçme të “organizatës kriminale”. /vizionplus.tv





