Franca ka kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas marrjes nën kontroll nga ushtria izraelite të kalasë strategjike Beaufort në jug të Libanit, ku tashmë është ngritur flamuri izraelit.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, deklaroi se Parisi e njeh të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje ndaj sulmeve të Hezbollahut, por theksoi se asgjë nuk justifikon vazhdimin e operacioneve ushtarake izraelite dhe zgjerimin e pranisë së tyre në territorin libanez.
“Sulmimi i fshatrave, pushtimi i territoreve dhe vrasja e civilëve vetëm sa forcon Hezbollahun”, tha Barrot në një intervistë për mediat franceze.
Sipas tij, ofensiva izraelite bie ndesh jo vetëm me armëpushimin që është në fuqi në Liban që prej 17 prillit, por edhe me të drejtën ndërkombëtare.
Diplomacia franceze paralajmëroi gjithashtu se vazhdimi i luftimeve mund të dëmtojë përpjekjet diplomatike për një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e cila synon uljen e tensioneve në rajon dhe ndërprerjen e armiqësive në disa fronte, përfshirë Libanin.
Barrot u ndal edhe te negociatat për programin bërthamor iranian, duke theksuar se deklaratat politike duhet të shoqërohen me garanci konkrete dhe mekanizma verifikimi.
Ndërkohë, kalaja historike Beaufort, e cila që nga viti 2024 gëzon status të mbrojtjes së shtuar nga UNESCO, konsiderohet e rrezikuar nga operacionet ushtarake në jug të Libanit.
Ministri libanez i Kulturës, Ghassan Salamé, ka paralajmëruar për rrezikun që i kanoset këtij dhe monumenteve të tjera historike në zonë.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi marrjen e kalasë Beaufort si një “pikë kthese vendimtare” në operacionin ushtarak të Izraelit në Libanin jugor.
Ai deklaroi se kishte urdhëruar zgjerimin e operacioneve ushtarake, duke shtuar se forcat izraelite kanë kaluar lumin Litani, kanë marrë nën kontroll lartësi strategjike dhe kanë pushtuar majën e Beaufortit.
Sipas autoriteteve izraelite, ushtria kontrollon tashmë zonën në jug të Libanit deri në lumin Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri, ndërsa forcat po avancojnë drejt lumit Zahrani më në veri.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se ushtria do të mbajë kontrollin mbi kalanë Beaufort si pjesë e zonës së sigurisë që Izraeli synon të krijojë në jug të Libanit.
Ndërkohë, kryeministri libanez Nawaf Salam dënoi ashpër operacionet izraelite, duke i cilësuar ato si “politikë e tokës së djegur dhe ndëshkim kolektiv”, që sipas tij nuk do t’i sjellin Izraelit as siguri dhe as stabilitet.





