Deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me konferencën e tetë ndërqeveritare sollën pergjigjen e kryedemokratit Sali Berisha.Me anë të një video ne rrjetet sociale lideri opozitës akuzoi kreun e qeverisë, si shkaktarin kryesor për vonesën e miratimit të raportit të piketave të ndërmjetme.
“Kurse përsa i përket IBARI-t, të gjithë shqiptarët sot e morën vesh se u bënë 32 amendime nga më të fortat, me të cilat provohen se Edi Rama ka shkelur parimet më kryesore të luftës kundër korrupsionit dhe transparencës”, tha Berisha.
Berisha komentoi dhe krijimin e agjencisë së re shtetërore simotër të AKSH-it, Albanian Digital Solution duke e quajtur një manovër të qeverisë për të vjedhur paratë e qytetarëve.
“Pra, sipërmarrjet e tij dixhitale janë, sipërmarrje në të cilat, janë kofshët e tij private në të cilat ai, i pangopur vjedh qindra e qindra milionë euro. Si përfundim mund të themi se me Edi Ramën integrim nuk ka dhe nuk mund të ketë, se Shqipëria dixhitale me Edi Ramën përdoret për të vjedhur, për të rrjepur qytetarët shqiptarë”, shtoi Berisha.
Albanian Digital Solution u prezantua të premten nga qeveria si agjencia që do të veprojë për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e portaleve shtetërore digjitale.





