Një ditë pas dhunës së ushtruar ndaj protestuesve në Zvërnec, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një dalje publike për projektin që pritet të ndërtohet në këto troje.
“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit.
Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë, qoftë ndaj atij grushti muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, qoftë ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës.
Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura.
Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10.00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht”, shkruan Rama në X.
Orët e para të mëngjesit të së dielës, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e Genard Bibës, një prej rojeve private që tërhoqëi zvarrë protestuesin përballë uniformave blu, brenda gardhit të telave me gjëmba të vendosur në zonën e Zvërnecit.
Po aq, uniformat blu proceduan penalisht edhe dy roje të tjera private dhe kanë vënë nën hetim të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës. Videot kanë ngjallur një reagim të gjerë publik, ndërsa kritik ndaj tyre ishte edhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
“Nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur”, tha Lamallari.
Mesditën e së shtunës një protestë paqësore e qytetarëve që pretendojnë ndërtimin e një resorti në Zvërnec përfundoi me përleshje të tyre fizike me policë privatë që rrëmbyen një prej tyre. Edhe kompania private që po bën ndërtimet në zonë thotë se nuk ka dhënë autorizim për dhunim të qytetarëve, duke pushuar menjëherë nga puna Major Security.
Ndërhyrja ndaj një qytetari që ishte në të drejtën e tij të plotë për të protestuar jashtë kufirit të pronës, dhe tërheqja e tij brenda saj për të ushtruar forcë, nuk është vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e dënueshme penalisht. Për këtë arsye kemi ndërprerë me efekt të menjëhershëm marrëdhënien kontraktuale me shoqërinë e sigurisë.
Dhunën e kanë dënuar qytetarët, aktivistët dhe eksponentë politikë, të opozitës dhe mazhorancës.





