Kosova mbetet prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë. Kështu u shpreh Ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha gjatë vizitës së tij të parë si kryediplomat në Prishtinë krahë homologut Glauk Konjfuca.
“Ne në Tiranë nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar.Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë në një lidhje të ndërsjellë dhe të pandashme, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah”, tha Ferir Hoxha, ministër i Jashtëm.
Hoxha u ndal edhe tek dialogu me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve si hapi kryesor që do të sillte paqe afatgjatë në rajon.
“Në këtë kuadër duhet parë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mendojmë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e duhur drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe konsolidimit të paqes afatgjatë, mes dy vendeve fqinjë”, shtoi Hoxha.
Dy ministrat e jashtëm vunë theksin dhe tek aspirata e Kosovës për tu anëtarësuar në NATO.
“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes, në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme që të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance, jo vetëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe kudo në botë në mbështetje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike”, deklaroi Glauk Konjfuca, ministër i Jashtëm i Kosovës
“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe mbështetjen që Shqipëria jep dhe do të vazhdojë të japë në kuadër të NATO-s për afrimin institucional të Kosovës me strukturat euroatlantike. Prania e NATO-s në Kosovë dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë kyç stabiliteti, sepse pa një Kosovë të sigurt, nuk mund të ketë as rajon e as Evropë të sigurt”, tha Ferit Hoxha.
Kryediplomati shqiptar komentoi dhe iniciativën e partisë pro-serbe në Malin e Zi për te terhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Hoxha tha se kjo eshte nje perpjekje që sjell vetëm tensione.





