Julian Gjoshi, autori i dyshuar i vrasjes së Alfred Dedjas është marrë në pyetje nga grupi hetimor ku ka shpjeguar motivet dhe dinamikën e ekzekutimit të 50-vjeçarit. I riu ka pohuar para oficerëve se krimin e kreu pasi ndihej i ofenduar nga viktima. Sipas tij, Alfred Dedja e ofendonte sa herë që takoheshin.
“Ndihesha i ofenduar, pasi sa herë që takoheshim më shante dhe më ofendonte. Jemi takuar edhe 10 ditë para ngjarjes dhe sërish më ka ofenduar. Ditën e ngjarjes e kam marrë në telefon dhe i kam thënë hajde se po të pres për kafe. Sapo u ul, e qëllova me armë. Unë atë e kam mbajtur me lekë dhe bukë kur punonte menaxher te kompleksi “Golden”, pronë e familjarëve të mi. Pasi kreva vrasjen u largova menjëherë. Pistoletën e hodha jo shumë larg nga lokali, në anë të disa shkurreve”, deklaroi Gjoshi.
Lexo edhe :
Related Posts
Mesditën e së hënës policia gjeti në afërsi të Shkëmbit të Kavajës mjetin luksoz që autori kishte përdorur për tu larguar nga lokali në Ndroq ku kreu krimin.
Ai e braktisi mjetin dhe më pas u largua duke u fshehur për disa orë në një hotel në fshatin Shkallnur.
Brenda makines efektivët nuk kanë gjetur pistoletën e krimin, ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e saj në zonën ku Julian Gjoshi shprehet se e ka hedhur.
Alfred Dedja u fut në lokalin ku ishte ulur autori me një person tjetër në tavolinë. Në momentin që Dedja u ul në tavolinë, Julian Gjoshi e qëlloi me të paktën 5 plumba 50-vjeçarin, tre prej te cileve e prekën në organet jetike dhe për pasojë humbi dhe jetën.
Pavarësisht dëshmisë së të riut pista kryesore mbetet ajo e përplasjeve për shkak të pazareve të drogës.
Të dy njiheshin prej kohësh dhe kishin shoqëri të përbashkët, madje viktima përpara disa kohësh ka punuar si menaxher te kompleksi “Golden” në pronësi të Altin Hajrit, ky i fundit është kunati i Julian Gjoshit.
Altin Hajri ndodhet në kërkim i akuzuar nga SPAK për vrasjen dhe zhdukjen e Jan prengës. Ne një nga dosjet që po hetohet nga Prokuroria e Posaçme rezulton se Altin Hajri ka ndërhyrë përmes ish-deputetit Jurgis Çyrbja për të liruar nga burgu Gjoshin në vitin 2021 kur ky i fundit ishte arrestuar për armëmbajtje pa leje.
Autori është me precedent jo vetëm për armë mbajtje pa leje por edhe vepra të tjera penale. Gjithashtu edhe Alfred Dedja që jetonte mes Shqipërisë dhe Italisë ishte me precedent penal në fushën e narkotikëve.








