Gjykata Penale la në burg pa afat autorin e vrasjes së 50-vjeçarit, Alfred Dedja. Krahas qëndrimit në qeli, Julian Gjoshi do t’i nënshtrohet edhe aktekspertizës psikike, një kërkesë kjo e mbrojtjes, e pranuar nga togat e zeza.
Nën dyshimet se 27-vjeçari e ka kryer krimin si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike, avokatët e tij kërkuan t’i bëhej akt-ekspertizë psikiatrike që do të përcaktojë nëse është i përgjegjshëm mendërisht apo jo.
Lexo edhe :
Përballë gjyqtares Migena Laska ai nuk pranoi të flasë, ndërsa akuzohet për vrasje me paramendim, një vepër penale kjo që nëse shpallet fajtor mund t’i kushtojë edhe heqjen përjetë të lirisë së tij. Për grupin hetimor ai ka thënë se vrasjen e kreu pasi 50-vjeçari e ofendonte.
Autori dhe viktima njiheshin më herët, pasi Alfred Dedja kishte punuar si menaxher në kompleksin “Golden” në Shijak në pronësi të një personazhi të kërkuar për krime të rënda nga drejtësia shqiptare me të cilin autori kishte lidhje familjare.
Julian Gjoshi rrëfeu se Dedjan e kishte takuar 10 ditë më parë dhe sipas tij 50-vjeçari e kishte ofenduar sërish, ndaj ai ndërmori aktin fatal duke e qëlluar me pistoletë.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë shihet Alfred Dedja i cili çohet nga karrigia e restorantit për ta përshëndetur 27-vjeçarin, por ai menjëherë sapo u ul nxori armën dhe e la të vdekur në vend.
Më pas u largua nga vendngjarja drejt Kavajës, ndërsa u vetëdorëzua 24 orë pas krimit.
Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit. Ky i fundit kërkohet për rrëmbimin, zhdukjen e më pas vrasjen e Jan Prengës brenda kompleksit të tij në Shijak./vizionplus.tv






