Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtor Talo Çelën për supergrabitjen e 4.5 milionë eurove ne aeroportin Nënë Tereza në Rinas. Ai u dënua nga togat e zeza me 18 vite burg, por vendimi u dha në mungesë.
Talo Çela, një ndër personat më të kërkuari në Shqipëri, në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë kreu grabitjen më 9 prill të 2019.
Me maska nën kërcënimin e armëve, ata vodhën sasi marramendëse parash që do të ngarkoheshin në avion.
Për të kryer grabitjen të tetë të dënuarit përdorën një furgon mbi mbishkrimin shërbimi tatimor, ku sipas akuzës, Talo Çela kishte asistuar në modifikimin e tij.
Ndërkohë, pas shkëmbimit të zjarrit me policinë i vdekur mbeti koka e grupit kriminal, Admir Murataj.
Talo Çela u shpall në kërkim ndërkombëtar pasi bashkëpunëtori i tij i dikurshëm, Nuredin Dumani, që u shndërrua në rivalin e tij më të madh u bë dëshmitar i drejtësisë, ku rrëfeu me dhjetëra krime të rënda të 10 viteve të fundit.
Gjykata e Posaçme dënoi në tetor të vitit të shkuar 122 vite heqje lirie në total 7 të pandehurit e grupit kriminal./vizionplus.tv





