Manchester City doli jashtë kupës së ligës në raundin e katërt, pasi u mund nga Tottenham në transfertë. Skuadra e Pep Guardioles, luajti në Londër pa disa prej lojtarëve kryesorë mes të cilëve Haland, Bernardo Silva, Doku, Ederson e De Brojne dhe e pagoi shtrenjtë këtë rotacion në formacion duke u mundur 2 me 1.
Timo Verner dhe Sarr shënuan dy herë në 25 minutat e para për spursat. Në fundin e pjesës së parë Mateus Nunjes riktheu në lojë miqtë, por në të dytën megjithë përpjekjet e mëdha, qytetarët nuk shënuan dot të paktën edhe një gol që do ta kishte çuar ndeshjen në shtesë. Lajm i keq për Guardiolen edhe dëmtimi i brazilianit Savinjo. Me eliminimin e Cityt, sfumohet mundësia për të pasur në çerekfinalet e kupës së ligës një derbi të Manchesterit. “Djajtë e Kuq” në fakt kaluan më tej duke mundur 5 me 2 në fushën e vet Leicester.
Me trajnerin e përkohshëm në stol, Rud Van Nisterloi pas shkarkimit të Ten Hages dhe në pritje të Ruben Amorim, të zotët e shtëpisë zhvilluan një ndeshje të bukur. Kasemiro dhe Bruno Fernandez ishin lojtarët e ndeshjes, pasi shënuan secili nga dy gola, ndërsa një tjetër e realizoi argjentinasi Garnaco. Vijon rrugëtimin në kupën e ligës edhe Liverpul që mposhti 3 me 2 në transfertë Brighton. Pas një pjese të parë pa gola, të ‘Kuqtë” iu falën një super Gakpo i cili shënoi dy gola deri në minutën e 63.
Adingra ktheu në lojë Brajton, mirëpo Luiz Diaz ktheu shpejt qetësinë tek Liverpuli. Surprizë mund të konsiderohet edhe eliminimi i Aston Viles që u mund në fushën e vet 2 me 1 nga Kristal Palas, ndërsa Arsenali e pati të lehtë ndaj Preston duke e mundur 3 me 0. Ikën nga kupa e ligës edhe Chelsea, i cili u dorëzua në një duel prestigjioz kundër Njukasell 2 me 0. Ndeshje e zgjidhur praktikisht në mesin e pjesës së parë, kur Isak zhbllokoi shifrat në favor të “Qymyrxhinjve”, ndërsa tre minuta më vonë autogoli i Disasit i dha Liverpulit avantazhin e sigurisë. /vizionplus.tv





