Protestat për Zvërnecin sollën debate gjatë seancës parlamentare.
Nga foltorja e Kuvendit, deputetja demokrate Ina Zhupa, solli në vëmendje kërkesat e qytetarëve të cilët marshojnë në Bulevard prej 12 ditësh.
“Realiteti kërkon dorëheqjen e Ramës, një qeveri tranzitore, një parlament që miraton shfuqizimin e ligjeve, një parlament që nuk i anatemon protestuesit. Nëse mendoni se mandatet tuaja vijnë nga qytetarët, përgjigjuni atyre, nëse mendoni se vini nga Rama, mos iu përgjigjeni. Por do të merrni nga ata përgjigjen, siç e shikoni që do të jenë më shumë, më të qartë, për të kërkuar që kjo qeveri, dhe kjo makutëri, kjo sjellje harbute, duke shkelur interesin publik dhe të brezave të ardhshëm, të ndalojë”, tha Zhupa.
Në emër të socialistëve, Taulant Balla u shpreh se opozita po vepron me dy standarde, pasi më herë ajo ishte pro investimit në Zvërnec.
“Një javë më parë dolët me bufin e madh dhe thatë që jeni pro investimit. Tani, kush është qëllimi i 4 projektligjeve? Investimi do të bëhet! Shqipëria nuk e ka luksin të humbë 4 miliardë”, tha Balla.
Por përplasjet nuk përfunduan me kaq, madje ligjvënësit kaluan dhe në akuza personale.
“I shihni njerëzit që kanë dalë apo jo. Ju kalojnë afër shtëpisë apo jo. Janë me dhjetëra mijëra, del Taulanti dhe i tall. Keni shitur Shqipërinë dhe interesin e shqiptarëve në 35 vite, kanë dalë në shesh shqiptarët. Kuvendi duhet të shkrihet nuk ju duan më njerëzit duhet të vijnë t’ju marrin zvarrë”, tha kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj.
“Ky Agron Shehaj që bërtet ka hall tjetër. Halli i tij është Agim Shehaj, që
është një nga personat që ka manipuluar pronat. Ka hallin e tij. Hajde të sfidoj. Ikim tani dhe sqarohemi. Këta këtu të besuan regjistrin e partisë dhe ti ia vodhe”, tha Balla.
Sa i përket investimit në Zvërnec, më herët, Kryeministri Edi Rama është shprehur se ai do të realizohet pavarësisht protestave.





