Mirela Bogdani do të drejtojë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për tre vitet e ardhshme. Qeveria e prokurorëve votoi unanimisht me 10 vota pro që anëtarja prej 2 vitesh të jetë në krye të institucionit. Në platformën që ajo shpalosi veçoi bashkëpunimin me organizmat ndërkombëtarë.
“Fryma e bashkëpunimit dhe koordinimit me Partnerët ndërkombëtarë, kryesisht projektet e asistencës teknike OPDAT dhe EU4JUSTICE, të cilët kanë asistuar punën e Këshillit që në ngjizjen e tij dhe kanë vazhduar mbështetjen në vijimësi, bashkëpunimin edhe me të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë, koordinimin e punës me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, me KLGJ, Shkollën e Magjistraturës, me ILD, Kuvendin, etj”, tha Bogdani.
Ndërkaq anëtarja tjetër e KLP nuk shfaqi vullnet për të garuar, kështu që Bogdani nuk pati konkurrencë.
Këshilli duhet të jetë funksional, nuk është hera e parë që kalohet një periudhë kohore ku mbaroi mandati i zotit Ibrahimi dhe zoti Balla mbajti posti e zëvendësit derisa u shpalosën të gjithë platformat. Më duket se do të ketë një pikëpyetje për këtë mbledhje të Këshillit. E vlerësoj Bogdanin por do të doja që të kishte konkurrencë”, tha anëtarja e KLP, Nurihan Seiti.
Votimi i Mirela Bogdanit erdhi menjëherë pas përjashtimit nga sistemi i drejtësisë i paraardhësit të saj, Alfred Balla. Ai u shkarkua nga KPA, dy javë më parë për punën e tij si këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë. Teksa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendosi që verifikimin ndaj Ballës ta pushonte, shkalla e dytë e vetting-ut mori vendimin e përjashtimit të tij duke arsyetuar se ish-kryetari i KLP iu shmang procesit. Vetë Alfred Balla paralajmëroi se vendimin do ta çojë deri në Strasburg. /vizionplus.tv





