Megjithëse është i arrestuar për kallashnikovin që iu gjet në makinë në gusht 2022 në Kune të Lezhës, ndaj Nikoll Sherrnikut, tashmë Gjykata Penale ka caktuar edhe një masë tjetër arresti në burg, kësaj here për shkak të sigurimit të mjeteve për atentatin e “Don Boskos”, ku u vra Mimoza Paja dhe u plagosën 6 të tjerë.
Nikoll Sherrniku shkoi në Gjermani në vitin 2020 për të punuar në një servis makinash, në pronësi të shqiptarit nga Kosova, Gazmend Jakupi, ku do të punonte për llogari të tij bashkë me disa miq të tij. Megjithatë, kohëzgjatja e qëndrimit të tij në Gjermani ishte vetëm 10 ditë, provuar kjo nga letërporositë të nisura në shtetin gjerman dhe verifikimeve nga sistemi TIMS.
Qëndrimi 10 ditor i 28-vjeçarit përfundoi me vjedhjen e 3 targave të automjeteve gjermane, të cilat i mori në servisin e Gazmend Jakupit. Implikimi i Nikoll Sherrnikut me ngjarjen e “Don Boskos”, sipas organit të akuzës, provohet nga deklarimet e njërit prej shokëve me të cilët ndau punën për 10 ditë. Ka qenë vetë Sherrniku, ai i cili i ka thënë mikut të tij se targat do t’ia dorëzonte në Shqipëri Ervis Martinajt, me të cilin kishte lidhje të ngushtë miqësore.
Një prej tri targave që ai vodhi në servis u përdor për kryerjen e atentatit të 12 marsit, arsye pse Sherrniku akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasje. Nuk dihet ende nëse dy targat e tjera që ai solli nga Gjermania janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale e megjithatë, vetë ai në sallën e gjyqit mohoi çdo përfshirje të mundshme në atentatin në lokalin e Fatjon Muratit në “Don Bosko”, me argumentin se ka qenë i burgosur.





