Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama ka konfirmuar vendimin në mbledhjen e Kryesisë dhe ish-Grupit Parlamentar të LSI-së për të mandatuar kryetaren Monika Kryemadhi për të negociuar me kreun e PD për të arritur një marrrëveshje të frontit opozitar.
Gjithashtu në deklaratën e tij për media tai ka bërë me dije se në këtë mbledhje është diskutuar në lidhje me situatën politike në vend dhe zhvillimet e pritshme.
“Shqipëria është një shtet i kapur, një shtet i kapur nga strukturat kriminale që kanë imponuar vullnetin e tyre në zgjedhjet që kanë prodhuar maxhorancën që është në shërbim të krimit dhe mbi bazën e këtij realiteti, aksioni politik i LSI-së i inkuadruar në tërësinë e veprimit politik, qytetar të opozitës do të vazhdojë me vendosmëri për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje farsë, për të mos lejuar që në këtë vend të ketë më zgjedhje që komandohen dhe blihen nga grupet kriminale, për të zgjedhur pushtetin dhe qeverinë që u shërben atyre. Kryesia vendosi të mandatojë Kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sekretarin e saj të Përgjithshëm që të finalizojnë marrëveshjen e bashkëpunimit me Partinë Demokratike dhe të gjithë Frontin Opozitar për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për të garantuar jo vetëm mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar, përfshirë këtu edhe detyrat e qeverisë tranzitore, në mënyrë të veçantë duke specifikuar në detyrat e saj edhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përpjekja e dëshpëruar dhe e dështuar e qeverisë për të shfokusuar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e mëdha që ka vendi, nga kriza e përgjithshme politike, kushtetuese, institucionale, parlamentare dhe e besimit. Natyrisht është vetëm një shenjë më shumë e krizës në të cilën gjendet vetë qeverisja e vendit, është një shenjë më shumë e dëshpërimit të saj, që vjen sa nga rezistenca, revolta dhe protesta qytetare aq edhe nga moria e një pas njëshme e skandaleve, të cilat me këtë qeveri janë të lidhur pazgjidhshmërisht.”
Gjithashtu në fjalën e tij zëvendëskryetarit të LSI-së ka komentuar edhe fjalën e kryeministrit Rama në lidhje me kënaqësinë e opozitës për vendimin e parlamentit Holandez për rikthimin e vizave të Shqipërisë.
“Më parë se të akuzojë opozitën, dhe më parë sesa të nxjerrë zëdhënësit e vet mjeranë për të justifikuar, ky moment ka nevojë për reflektim. Ka nevojë për reflektim dhe për të parë realisht situatën e kriminalitetit, situatën e trafiqeve, situatën e korrupsionit. Sepse në tërë palcën e sistemit politik shqiptar aktual nuk ka gjë tjetër për veç se krim, korrupsion dhe shpërdorim. Prandaj problemi i madh që duhet të zgjidhë shoqëria shqiptare është mbi të gjitha që pasi të kemi çuar vendin në zgjedhje të parakohshme përmes qeverisë transitore, t’i çelim rrugën reformimit tërësor te sistemin politik, sepse sistemi aktual politik rezulton i dështuar, i kalbur , i kriminalizuar. Për fat të keq Shqipëria është rikthyer në kushtet e realitetit politik të viteve 90-91, kur Kuvendit apo Parlamentit të atëhershëm të Partisë së Punës, i mbeti vetëm një detyrë. Të çonte vendin në zgjedhje për të garantuar pluralizmin politik dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri. Ndaj dhe sot kjo mazhorancë ka vetëm një detyrë. Të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për të garantuar proces zgjedhor, të lirë të ndershëm, të barabartë, në mënyrë që qytetarët shqiptarë, jo vetëm të votojnë, por mbi të gjitha të kenë të drejtën të zgjedhin.”





