Dy persona janë arrestuar në Gjirokastër pasi u kapën duke transportuar me autobusë sasi produktesh shtazore, mish dhe peshk, të dyshuara si të kontrabanduara nga Greqia dhe të transportuara në kundërshtim me kushtet higjieno-sanitare.
Të arrestuarit janë një 54-vjeçar banues në Gjirokastër dhe një 46-vjeçar banues në Tiranë. Ata drejtonin dy autobusë pasagjerësh në linjat Athinë-Gjirokastër dhe Athinë-Shkodër.
Gjatë kontrollit me skaner, në vijën e dytë të kontrollit në hyrje të Shqipërisë, në autobusë u zbuluan 31 pako me produkte shtazore, kryesisht mish dhe peshk. Sipas policisë, produktet po transportoheshin në kushte që cenonin kriteret higjieno-sanitare dhe dyshohet se ishin kontrabanduar nga Greqia, pasi nuk dispononin dokumentacion tatimor.
Produktet u sekuestruan si pjesë e hetimit, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.





