Banorë të zonës së ish-Kënetës në Durrës zhvilluan një protestë, duke bllokuar për rreth një orë rrugën “Vllazërimi”. Dhjetëra banorë, të mbështetur edhe nga përfaqësues të degës lokale të Partisë Demokratike, kërkuan marrjen e masave për të parandaluar përsëritjen e problematikave të përmbytjeve të shfaqura në fillim të këtij viti.
Qarkullimi i automjeteve u bllokua pjesërisht përgjatë aksit, ndërsa në qendër të protestës ishte mungesa e investimeve në infrastrukturë. Sipas banorëve, problematikat infrastrukturore vijojnë të shkaktojnë përmbytje të përsëritura në këtë zonë.
Protestuesit deklaruan gjithashtu se ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit. Sipas tyre, pjesa më e madhe e banorëve të prekur janë përmbytur tre herë gjatë periudhës janar 2025–janar 2026.
Banorët i kërkojnë pushtetit vendor jo vetëm dëmshpërblimin për dëmet e shkaktuara, por edhe ndërhyrje konkrete për përmirësimin e kushteve të jetesës.
Mes problematikave të renditura prej tyre janë mungesa e kazanëve të mbeturinave, mospastrimi i kanaleve kulluese dhe ndotja mjedisore.
Protesta u zhvillua pa incidente, ndërsa banorët paralajmëruan se do të vijojnë të kërkojnë zgjidhje për problematikat e zonës.
/vizionplus.tv





