Debati për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve vijon të mbajë në qendër të vëmendjes përplasjen mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë.
Juristi Arbër Hoxha e konsideron të gabuar mënyrën se si po trajtohet çështja nga sistemi i drejtësisë.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Roland Zlin, Hoxha argumenton se vendimet me karakter financiar duhet të kalojnë përmes Parlamentit dhe se KLGJ-ja dhe KLP-ja, duke vendosur për rritjen e pagave, kanë ndërhyrë në një kompetencë që i takon Kuvendit.
Sipas tij, edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet, qeveria ka në dispozicion instrumente ligjore për ta adresuar situatën, përfshirë ndryshimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor.
Hoxha ngre gjithashtu shqetësimin për nivelin e pagave të magjistratëve në raport me profesionet e tjera, duke sjellë si shembull faktin se një gjyqtar i Gjykatës së Posaçme mund të paguhet rreth një herë e gjysmë më shumë se Presidenti i Republikës.
INTERVISTA E PLOTË:
Si qëndron sipas jush nga pikëpamja ligjore ky konflikt mes magjistratëve dhe qeverisë? Kush ka të drejtë
Arbër Hoxha: Ka dy qëndrime që janë: njëri është qëndrimi ligjor dhe tjetri është qëndrimi moral. Në vitin 2016, me ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor edhe të ashtuquajturën reformë në drejtësi, u besua që në qoftë se gjyqtarëve dhe prokurorëve do t’u rritej paga në mënyrë të konsiderueshme në raport me atë që e kishin, sigurisht që do të ishte një trend, le të themi edhe një impuls për të bërë sa më pak korrupsion. Por sigurisht që kjo e vendosi në mënyrë të shproporcionuar pagën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në nivelin e pagave të tjera të profesionistëve të këtij vendi, siç do të ishin mjekët apo edhe personat të tjerë të cilët kanë investuar pothuajse sa gjyqtarët, ndoshta edhe më shumë se gjyqtarët. Unë besoj që paga është një shpërblim i drejtë jo vetëm për punën që kryen një person, por edhe për investimin që ai ka kryer në jetë. Pra nëse do të krahasojmë pagën e gjyqtarëve me pagën e personave të tjerë të cilët punojnë jo vetëm në sistemin e drejtësisë por edhe më gjerë, pra me mësuesit, sigurisht që është shumë e shproporcionuar.
Po megjithatë jemi tani në momentin kur ata kanë paditur në SPAK ministrin e financave dhe pak ditë më parë KLGJ-ja dhe KLP-ja vendosën në mënyrë të njëanshme, le të themi t’i rrisin vetë pagat e tyre duke krijuar këtë problem. A përbën kjo një ndërhyrje në punën e parlamentit për shkak se vendimi në fund të ditës i takon parlamentit apo jo?
Arbër Hoxha: Sigurisht që po. Të gjitha aktet e karakterit financiar duhet të kalojnë nëpërmjet parlamentit. Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila shprehet në raport me pagat e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe të gjitha të tjerat. Unë besoj që instrumenti që ka zgjedhur qeveria shqiptare për të luftuar këtë fenomen, pra të rritjes së pagës që aktualisht është më e madhe sesa e të gjithë profesionistëve të tjerë në Republikën e Shqipërisë, të mendosh që një gjyqtar i Gjykatës së Posaçme merr një herë e gjysmë më shumë se presidenti i republikës, kjo është e pamendueshme në një sistem demokratik në të cilin duam të bëjmë pjesë siç janë vendet e Bashkimit Europian. Por përtej kësaj, sigurisht që në qoftë se qeveria do të donte që të luftonte këtë fenomen dhe rritjen e pagave, mund ta bënte nëpërmjet ndryshimit të ligjit për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor, të cilit i ka numrat për hir të së vërtetës dhe mund e duhet që ta bënte. Në kushtet aktuale, nëpërmjet instrumenteve të caktuar i lind e drejta dhe detyra që t’i reflektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Përse duhej një padi në SPAK dhe gjithë ky konflikt kur shumica e ka bërë të qartë publikisht që në datën 17 do rregullohet ligji dhe pagat kalojnë?
Arbër Hoxha: Për mua është shumë e trishtë që sistemi gjyqësor të shkojë në një grevë dhe bojkotim për dhënien e drejtësisë vetëm për pagat. Për mua do të ishte një lajm tepër pozitiv nëse gjyqtarët do të ngriheshin për të plotësuar vakancat në sistemin e drejtësisë dhe kjo po që do të përbënte lajm të mirë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë, sepse mosplotësimi i vakancave në sistemin e drejtësisë ka sjellë një shtrirje shumë të madhe në kohë të marrjes së të drejtës. Qytetarët e Republikës së Shqipërisë presin më shumë se 20 vite që të marrin një vendim civil të formës së prerë dhe kjo pastaj e bën drejtësinë shumë të trishtë që gjyqtarët të ngrihen vetëm për pagat e tyre.
/vizionplus.tv





