Policia Kufitare në Gjirokastër ka goditur dy raste të kontrabandës me mallra në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në dy autobusë të linjave ndërkombëtare, shërbimet e policisë kanë zbuluar sasi të konsiderueshme mishi dhe peshku, që dyshohet se ishin futur kontrabandë në territorin shqiptar.
Sipas njoftimit të policisë, në rastin e parë gjatë kontrollit të ushtruar në autobusin e linjës Athinë-Gjirokastër, i cili drejtohej nga shtetasi A.B., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, u gjetën dhe u sekuestruan 685 kilogramë mish viçi, i prerë në formë bërxollash.
Për këtë rast, drejtuesi i autobusit u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”.
Rasti i dytë u evidentua gjatë kontrollit të autobusit të linjës Athinë-Shkodër, me drejtues shtetasin D.M., 46 vjeç, banues në Elbasan. Në autobus u gjetën katër kuti kartoni, brenda të cilave kishte 82 kilogramë e 900 gramë peshk, që dyshohet se ishte futur kontrabandë në territorin shqiptar. Ky shtetas akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjerë”, i cili do të ndiqet në gjendje të lirë.
Sasitë e mishit dhe peshkut u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për vijimin e hetimeve.
/vizionplus.tv





