Ish-kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar vrasjen e avokatit Ravik Gurra si një vrasje shtetërore.
Në një postim në “Facebook”, Berisha shprehet se të dhënat e deritanishme tregojnë që kemi të bëjmë me vrasje shtetërore pasi avokat Gurra, sipas tij, ishte mbrojtës I bandës kundërshtare të pushtetit.
Në kuadër të këtyre deklaratave, Berisha ngre dyshime se avokat Gurra mësoi sekrete të lidhjeve të shtetit me mafian të cilat, sipas tij, rrezikonin pushtetin e qeverisë.
“Vrasja e avokatit Gurra nje vrasje tipike shteterore e narkoshtit! Miq, vrasja e avokatit Gurra me te drejte ka tronditur thelle avokatine e vendit dhe opinionin publik te qytetit te Elbasanit ku ai kishte nje reputacion te mire dhe me gjere. Kam ndjekur me keqardhje dhe trishtim te thelle kete krim te rende te rradhes te narkoshtetit. Me kete rast i shpreh familjes Gurra ngushellimet e mia te ndjera dhe Dhomes se Avokatise te Shqiperise solidaritetin tim njerezor. Te dhenat e deri tanishme flasin se kemi te bejme me nje vrasje shteterore tipike per narkoshtetin. Avokati Gurra, penalist i njohur mbronte disa nga bandat me te rrezikshme te partise se krimit kurse ne Elbasan ai ishte avokat i pales kundershtare te bandes qe eshte nje me pushtetin. Keshtu qe ne te dy rastet duket se ai per shkak te detyres mesoi edhe sekrete te shtetit te mafies, lidhjeve te qeveritareve me drogen, vrasjet, trafiqet dhe per qeveritare qe ishin peng i lidhjeve te tyre me krimin. Prandaj dhe shkaku i ekzekutimit te tij mafioz shteteror qendron me sa duket para se gjitha te sekretet qe ai mesoi per shkak te profesionit, te cilat nuk rrezikonin banditet dhe vrasesit ordiner por shefat e tyre ne pushtet dhe qeveri. Me kete shpjegohet dhe heshtja totale e qeveritareve te te gjitha niveleve per kete krim te shemtuar. Ata heshtin sepse duket se ndjehen te lehtesuar. Avokati per shkak te detyres mesoi ato qe kurre nuk duhej ti dinte per bajlozet e narkoshtetit.”
Duke dënuar krimin, Berisha akuzon kryeministrin Rama se fshihet pas vrasjes së avokat Gurrës.
“Duke denuar me ashpersine me te madhe vrasjen shteterore mafioze per shkak te detyres te avokatit Gurra, shtoj se shkaku i vertet i ketij krimi te shemtuar fshihet thelle ne arkivat e zeza te narkoshtetit te Edvinit. Sb”





