Gjatë prezantimit të Programit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria do t’u qëndrojë pranë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (SME) përmes një rrjeti kombëtar ekspertësh dhe një mbështetjeje financiare pa kufizim kuote, duke garantuar se asnjë biznes nuk do të mbetet pa financim në këtë proces.
Rama u shpreh se ekonomia shqiptare po kalon një transformim të thellë dhe se sipërmarrja duhet të përballet me sfidat e tregut dhe integrimit në Bashkimin Europian. Sipas tij, programi synon të ndihmojë bizneset në këtë tranzicion dhe në përballimin e sfidave ekonomike.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e mbështetjes ndaj sipërmarrjes së vogël dhe të mesme, duke e konsideruar këtë kategori si thelbësore për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kuadër, qeveria ka vënë në dispozicion një garanci sovrane dhe një portofol të ri financimi.
Sipas Kryeministrit, përmes një marrëveshjeje me Bankën e Shqipërisë, çdo sipërmarrës që synon të përmbushë standardet europiane do të ketë akses në kredi, ndërsa do të nisë edhe një proces informimi për rreth 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin.
Rama nënvizoi se nuk do të ketë kufizime në mbështetje financiare dhe se çdo biznes i vogël dhe i mesëm do të trajtohet individualisht në varësi të nevojave të tij. Ai shtoi gjithashtu se do të krijohet një rrjet kombëtar ekspertësh dhe do të rritet roli i dijes dhe trajnimeve në mbështetje të sipërmarrjes.
“Është një sipërmarrje e cila është pjesë e gjithë sistemit të dikurshëm për sipërmarrjet fason. Ne kemi mundur të vërejmë dy zgjedhje dhe dy tendenca. Njëra zgjedhja e inercisë dhe tendenca e të kërkuarit të garancisë së të nesërmja dhe deri te kërkesa për të mbështetur financiarisht këto sipërmarrja që të përballojnë kursin e euros. Ekonomia shqiptare ndodhet në një transformim tërësor në raport me sfidat. E ardhmja nuk ndalet, ajo vjen. Këtu jemi pikërisht për këtë. Për t’iu gjendur pranë bizneseve në këtë përballje të të ardhmes që po vjen dhe që është anëtarësimi në BE, ne jemi angazhuar në krijimin e këtij programi ndërkombëtar. Jemi në kushtet ku nga njëra anë duhet të rrisim mbështetjen për sipërmarrjen, ky është sistemi për sipërmarrjen. Për këtë arsye ne duam që në radhë të parë, sipërmarrja e vogël dhe e mesme shqiptare të ketë sot shansin të ketë mbështetjen tonë. Mbështetja jonë për këtë kategori është domethënëse. Një garanci sovrane dhe një portofol financimi në mbështetje të të gjithë atyre që duan të ngjiten më lart. Çdo sipërmarrës do të ketë financimin falë marrëveshjes me Bankën e Shqipërisë për kredi. Ne nuk do të ndalemi në një kuotë financimi. Nuk do të ketë as një sipërmarrje e vogël dhe e mesme që nuk do të mbështetet financiarisht. <Çfarë synojmë ne me këtë program: Duam të informojmë 48 mijë ndërmarrje në të gjithë vendin, një për një. Duam të ngremë bashkërisht një platformë kombëtare të mbështetjes së biznesit dhe të krijojmë rrjetin kombëtar të ekspertëve. Duam të organizojmë një cikël prej qindra trajnimesh sektoriale, të rrisim standardizimin sipas standardeve të BE-së. Dhe sigurisht konkurrueshmërinë. Do të përfshihen universitetet. Kemi nevojë për dije, sipërmarrja ka nevojë për dije dhe ky proces ka nevojë për dije.Anëtarësimi i Shqipërisë në BE, me fjalë të thjeshta, është që Shqipëria bëhet sa BE dhe BE bëhet sa Shqipëria. Pra, je një sipërmarrës në BE. Është një sfidë e madhe që vjen me mundësi të mëdha dhe ka edhe rreziqe të mëdha. Ne duam t’u dalim para sa më shumë rreziqeve. Duam t’u japim kompanive sa më shumë komponentë për të fituar sfidën”, tha kryeministri Rama.





