Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra drejtuesin e prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami.
Komisioni i gjeti atij pasaktësi në deklarimet e pasurisë. Sipas KPK-së, Bajrami nuk justifikonte pagesën prej 1.5 milionë lekësh të apartamentit, për të cilën prokurori tha se ia kishte dhënë baxhanaku i tij.
Një tjetër gjetje e komisionit ishte një sipërfaqe toke në Elbasan, të cilën e kishte deklaruar që nga 2014-ta e jo më parë.
Komisioni po ashtu ngriti dyshime se prokurori nuk kishte deklaruar pronësinë e një automjeti.
Artan Bajrami është prokurori që në apel kishte në dorë dosjen e Dritan Dajtit.
Një ditë më parë ai konfirmoi se prokuroria do të bëjë rekurs për dënimin e tij me 25 vite burg për vrasjen e 4 oficerëve të policisë.





