Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka dalë sërish forca e parë politike në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke siguruar rreth 42.9 për qind të votave sipas rezultateve paraprake. Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, partia në pushtet ka pësuar rënie të mbështetjes dhe nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës, forcë e dytë renditet Partia Demokratike me mbi 21 për qind të votave, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.61 për qind, duke shënuar rritje krahasuar me zgjedhjet e kaluara. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka regjistruar rezultat më të mirë se më parë, me mbi 7 për qind të votave.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shpalli fitoren në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit dhe la të kuptohet se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për formimin e institucioneve.
“Ne që nesër në orën 8 të mëngjesit do të shkojmë në punë. Ata që duhet të shkojnë në punë është opozita. Republikës së Kosovës nuk I mungon qeveria apo presidenti, por kuvendi I Kosovës. Natyrisht në javët në vijim do të komunikojmë , do ti takojmë e do të bashkëpunojmë…”, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila garoi me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe është kandidate e partisë për presidente, ka falënderuar qytetarët për mbështetjen në zgjedhje, duke e cilësuar rezultatin si fillimin e një faze të re për subjektin politik.
Ajo ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes.
“Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzoj emrin tim si presidente të Republikës së Kosovës. Kaq është përgjigja ime.”, Osmani.
Sipas rezultateve paraprake Vetëvendosje do të ketë 48 deputetë në Kuvendin e ri, nëntë më pak se në zgjedhjet e kaluara ndërsa opozita pritet të shtojë përfaqësimin e saj parlamentar. Rezultati hap tashmë diskutimet për negociatat mes partive politike dhe mundësinë e krijimit të një koalicioni qeverisës në javët në vijim.
/vizionplus.tv





