Dy palestinezë, mes tyre njëri vetëm 14-vjeç humbën jetën, ndërsa 415 të tjerë mbetën të plagosur gjatë protestës së dhunshme në Rripin e Gazës të premten.
Të rinjtë u qëlluan nga ushtarët izraelitë. Mediat shkruajnë se i mituri u godit pasi tentoi të shkatërronte gardhin kufitar dhe hodhi gurë në drejtim të ushtarëve.
Sipas zyrtarëve, 4 protestues të tjerë u qëlluan me plumba dhe janë në gjendje kritike për jetën.
Ushtria izraelite në një deklaratë tha se u përdorën mjetet e shpërndarjes së turmave dhe “në rastet kur pajisjet jo vdekjeprurëse rezultojnë të paefektshme, ata përdorin plumba të vërtetë në përputhje me procedurat standarde të operimit”.
Sipas tyre, palestinezët protestuan dhunshëm duke hedhur granata dhe gurë drejt forcave izraelite.
Por zyrtarët e Gazës shprehen se ushtarët hebrenj kanë vrarë të paktën 135 palestinezë që nga fillimi I protestave më 30 mars, kohë kur presidenti amerikan Donald Trump vendosi të njohë Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Rreth 5000 palestinezë protestuan në 5 pika përgjatë kufirit në Rripin e Gazës të premten. Prej më shumë se 2 muajsh, ata kërkojnë të drejtën për t’u kthyer në shtëpitë dhe tokat për të cilat thonë se u dëbuan 70 vjet më parë.





