Familjarë, miq e të afërm dhe personalitetet te jetës politike e publike bënë homazhe në ambientet e Ministrisë së Kulturës, në nder të shkrimtarit dhe politikanit të njohur Teodor Laço, i cili ndërroi jete në moshën 80-vjeçare. Ai lindi më 29 shtator të 1936 në Dardhë të Korçës. Pavarësisht se studioi për agronomi në Universitetin e Tiranës, ndoqi pasionin e tij për letërsinë, dhe nisi të botojë që në vitet ’60. Është autor i shumë romaneve, novelave, përmbledhjeve me tregime, dramave, komedive, skenarëve të filmave artistikë e dokumentarë. Një pjesë e librave të tij janë përkthyer e botuar edhe në gjuhë të huaja. Pas viteve ’90, Laco u angazhua edhe në jetën politike të vendit. Për 12 vjet ka qenë deputet në parlamentin shqiptar, ministër i Kulturës në vitet ’94-’97 dhe ka përfaqësuar shtetin shqiptar si ambasador.





