Kryeministri Edi Rama ka folur për qytetarët pas takimit të gjatë të ditës së sotme me ministrat në Pogradec.
Rama tha se qëllimi i “Pasqyrë Albania” ka si synim transparencën në çdo hap dhe investim për qytetarët.
Rama theksoi se në këtë takim fokusi u vendos më së shumti te shëndetësia dhe arsimi. Po ashtu, kryeministri theksoi se një tjetër pikë është edhe shoqëria sociale, e cila sot është një realitet për përmirësimin e jetesës.
“Nuk është vetëm halli, kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si letër apo pako që çohet me postë, statusi bart edhe përgjegjësitë e afateve, ky është synimi i këtij projekti. Shkon qeveria te qytetari, për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumente përballë ndërmjetësit të padukshëm që ka hyrë në jetët tona, që është algoritmi. Këtu nuk flasim për një portal propagandistik apo çfarë do të bëjmë në të ardhmen, por flasim për një pasqyrë që të tregon çfarë po bën. Flasim për një rrugë, sa është, ku shkon, çfarë po bën, pse po vonohet, do ta ndjekësh, sepse ajo është një punë që bëhet për ty. Kemi përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor, jemi përqendruar te shëndetësia, te arsimi, te krijimi i një zinxhiri, i cili do të jetë zinxhiri i shoqërisë sociale. Sot një Shqipëri sociale është jo thjesht e rëndësishme, por bëhet e mundshme sepse janë shtuar mundësitë. Një Shqipëri sociale që lidhet drejtpërdrejt me gjërat e cilësisë së jetës”, tha Rama.
Më tej, kryeministri Rama theksoi se u diskutua po ashtu edhe për çmimet, të cilat, sipas tij, do të bëhen transparente për qytetarët.
“Kemi folur për çmimet. Kemi një plan për këtë. Jetojmë në një sistem, ku nuk kemi asnjë eksperiencë të përcaktimit të çmimeve nga shteti, por një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë”, tha kryeministri.





