Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për 49-vjeçarin Ylli Zalla, i cili ishte shpallur në kërkim që prej nëntorit 2025 dhe u arrestua më 17 gusht pas rreth 10 muajsh në arrati.
Zalla u prangos në Krujë gjatë një operacioni të zhvilluar nga RENEA, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, strukturat operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Krujë. Arrestimi i tij u bë publik edhe përmes pamjeve të publikuara nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Gjatë seancës gjyqësore, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke kundërshtuar pretendimet për rrezikshmërinë e 49-vjeçarit dhe provat e sekuestruara në banesën e tij. Gjykata nuk e pranoi kërkesën dhe konfirmoi masën “arrest me burg”.
Ylli Zalla dyshohet se ka furnizuar me armë dhe arsenal autorët e atentatit në Rinas, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani.
Pas ngjarjes, gjatë kontrolleve në banesën e Zallës në Fushë-Krujë, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh, përfshirë armatim të tipit ushtarak. Zbulimi i arsenalit ngriti dyshime për lidhje të tij me autorët e atentatit apo me grupe kriminale.
/vizionplus.tv





