Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë dalë edhe sot para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë, duke thënë se nuk do ta lejojnë hyrjen e Albin Kurtit, të cilin e cilësuan si “uzurpator”.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se janë mbledhur para Qeverisë për t’i bërë një pyetje Kurtit, për të cilin tha se ka “uzurpuar” postin e kryeministrit, bashkë me ministrat e tij.
Sipas Hoxhës, që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, Kurti dhe ministrat e tij po qëndrojnë ilegalisht në pozitat që ushtrojnë edhe sot. Ajo tha se për këtë arsye janë mbledhur për të mos lejuar hyrjen e Kurtit në zyrat e Kryeministrisë.
“Kurti duhet ta kuptojë që, në vend që ta sabotojë Kuvendin, të vijë aty dhe të krijojë mundësinë për ta konstituuar Kuvendin. Kjo është puna parësore që duhet të bëjë si fitues i zgjedhjeve. Ta propozojë emrin dhe të ecim përpara në themelimin e institucioneve”, tha Hoxha.
Ajo shtoi se Kurti “sot qëndron si uzurpator” dhe se, sipas saj, ai dhe partia e tij nuk mund të jenë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës.







