Aktorja amerikane Hayden Panettiere, e njohur për rolet e saj në serialet e famshme “Heroes” dhe “Nashville”, ka ndërruar jetë në moshën 36-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar familja e saj përmes një deklarate të publikuar nga publicisti i aktores, ndërsa babai i saj e përshkroi Hayden si “një dritë të jashtëzakonshme” që u solli dashuri dhe gëzim njerëzve që e njihnin dhe miliona fansave të saj.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat. Familja ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë, ndërsa lajmi për vdekjen e saj ka shkaktuar reagime të shumta në industrinë e filmit dhe televizionit.
Panettiere e nisi karrierën si aktore fëmijë dhe u shfaq në reklama që para se të mbushte një vjeç. Më pas mori role në serialet “One Life to Live” dhe “Guiding Light”, ndërsa në vitin 2000 luajti përkrah Denzel Washington në filmin “Remember the Titans”. Ajo gjithashtu i dha zërin personazhit Dot në filmin e animuar “A Bug’s Life”.

Fama ndërkombëtare erdhi në vitin 2006, kur ajo u përzgjodh për rolin e Claire Bennet në serialin fantastiko-shkencor “Heroes”. Më vonë, nga viti 2012 deri në 2018, ajo interpretoi këngëtaren e muzikës country Juliette Barnes në “Nashville”, rol që i siguroi dy nominime për çmimin Golden Globe.
Në jetën personale, Panettiere kishte qenë në një lidhje me ish-kampionin ukrainas të boksit Wladimir Klitschko. Çifti u fejua në vitin 2013 dhe një vit më vonë u bë prindër të një vajze, Kaya. Ata u ndanë në vitin 2018. Aktorja kishte folur publikisht edhe për vështirësitë e saj me varësinë dhe depresionin pas lindjes, ndërsa në maj të këtij viti publikoi kujtimet e saj me titull “This Is Me: A Reckoning”.
Hayden Panettiere lë pas vajzën e saj Kaya dhe prindërit. Vdekja e saj vjen vetëm tre vjet pas ndarjes nga jeta të vëllait të saj më të vogël, aktorit Jansen Panettiere, i cili vdiq në vitin 2023 në moshën 28-vjeçare.
/vizionplus.tv






