Një stuhi e fortë shiu, e shoqëruar me erë të fuqishme dhe shkreptima, ka përfshirë Pogradecin pasditen e kësaj të premteje. Reshjet intensive zgjatën për rreth 30 minuta, por ishin të mjaftueshme për të shkaktuar probleme në disa zona të qytetit.
Sasia e madhe e ujit solli vërshime në rrugë dhe hapësira publike, ndërsa problematikat kryesore u evidentuan si pasojë e bllokimit të pusetave dhe grilave të kullimit të ujërave të shiut.
Në rrugën “Kajo Karafili”, ujërat dolën në sipërfaqe dhe përshkuan rrugën, duke depërtuar edhe drejt lagjes muzeale. Situata problematike u shfaq edhe përgjatë shëtitores së qytetit, ku uji vërshoi në disa pjesë dhe depërtoi edhe në disa biznese të vogla.
Një tjetër pikë problematike ishte zona pranë stadiumit të qytetit. Sheshi kryesor u mbulua thuajse tërësisht nga uji, sërish për shkak të bllokimit të grilave të kullimit.
Pas përfundimit të reshjeve, punonjësit e ndërmarrjes së punëve publike kanë dalë në terren për ndërhyrjen në zonat problematike. Ekipet po punojnë për zhbllokimin e pusetave dhe normalizimin e situatës.
Me ndalimin e reshjeve, niveli i ujit ka nisur të ulet gradualisht, ndërsa ndërhyrjet në terren vijojnë për të shmangur probleme të metejshme.





