Një marrëveshje që mund të ndryshojë përkohësisht qarkullimin e anijeve në një nga pikat më strategjike të botës duket se është pranë finalizimit. Irani dhe Omani po negociojnë rregulla të reja për lundrimin tregtar në Ngushticën e Hormuzit, korridorin detar nga ku kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës.
Sipas planit, korsitë e përkohshme të lundrimit do të hiqen dhe, për një periudhë prej dy deri në katër muaj, trafiku detar do të orientohet në një rrugë të vetme që kalon në ujërat territoriale iraniane.
Nga Teherani bëhet me dije se bisedimet kanë hyrë në fazën e fundit. Megjithatë, autoritetet iraniane theksojnë se ndryshimi i itinerarit nuk do të thotë automatikisht më shumë siguri për anijet që kalojnë në këtë zonë.
“Faktorët që e bëjnë Ngushticën e Hormuzit të pasigurt ende ekzistojnë nga ana e Shteteve të Bashkuara, veçanërisht bllokada detare dhe veprime të tjera agresive dhe kërcënuese kundër Iranit dhe interesave të tij”, tha Esmaeil Baghaei, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit
Ndërkohë shtetet e bashkuara dhe Omani nuk kanë komentuar ende raportimet për këtë marrëveshje. Sipas mediave ndërkombëtare, zbatimi i saj do t’i jepte Iranit një rol më të madh në menaxhimin e lëvizjes së anijeve në këtë korridor detar me rëndësi jetike për tregtinë botërore.
Kjo vjen në një klimë të tensionuar mes palëve. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se Irani do të përballet me pasoja të rënda nëse qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit nuk rikthehet plotësisht, ndërsa Teherani ka përsëritur se çdo sulm ndaj territorit iranian do të pasohet me një kundërpërgjigje të fortë ndaj vendeve të Gjirit.





