Drama e shpopullimit të fshatrave në Malësi të Madhe, ka krijuar këtë realitet të trishtë. Në Goraj – Budishtë në njësinë administrative Kastrat, fshati dikur me mbi 300 shtëpi, sot ka mbetur me afro 100 të tilla, ku në pjesën dërrmuese jetojnë dy të moshuar. Të rinjtë janë larguar në kërkim të një jete më të mirë në emigrim, pasi prej 36 vitesh zona vuan mungesen e ujit të pijshëm, furnizmit normal me energji elektrike, shërbim shëndetësor etj.
“Ujë që prej 35 vitesh nuk ka asnjë pikë, a mbushet uji në Koplik, ky është skandal, për spital duhet me shkue në Shkodër, edhe me dritat shumë keq”.
“Kanë mbet veç pleq, je I sëmurë s’ke askënd që ti thuash”.
“Njerëzit kanë ik, se këtu s’ka as punë, as ujë asgjë prej gjejë”.
Shkolla e fshatit i ngjan një zone të dalë nga lufta. Çdo vit e më shumë aty mungojnë fëmijët dhe në total sot marrin dije vetëm 26 të vegjël, ku mësimi kryhet në klasa kolektive.
“Unë jam në klasë të tetë, dua të iki se këtu nuk kam çfarë bëj”.
Vera është periudha kur zona nis të gjallërohet më shumë, nga rikthimi në vendlindje i emigrantëve. Klevi Gjolaj është 19 vjec dhe ka lindur në Itali, por rikthehet në tokën e të parëve për pushime.
“Unë kam ardh me pushime, por më vjen keq se ccdo vit numri i njerzve po ulet. Unë vetë nuk do kasha jetuar këtu, vetëm për qejf maksimumi disa ditë”.
Edhe famullitari i Kastratit, at Gazmend Tinaj e pranon se fshati po shuhet. Ai tregon se ka vite që nuk ka kryer një pagëzim apo ceremoni martese.
“Unë i kam bekuar të gjitha shtëpitë dhe janë maksimumi nga dy pleq. S’mbahet mend kur kemi pas martesën apo pagëzimin e fundit”, tha ai.
Emigrimi fatkeqësisht e ka “vrare” të ardhmen e këtyre fshatrave që po plaken me shpejtësi.





