Një 24-vjeçar shqiptar u vra me thikë ditën e djeshme, ndërsa vëllai i tij 20-vjeçar mbeti i plagosur rëndë.
Ngjarja ndodhi në Vescovato, një qytezë në provincën e Kremonës, në Itali.
Lexo edhe :
Autor i dyshuar i ngjarjes është një 32-vjeçar italian, me origjinë nga Sicilia, i identifikuar si Mattia Miraglia, i cili është arrestuar dhe ndodhet nën mbikëqyrje policore në spital, pasi është plagosur në dorë.
Një ditë pas ngjarjes së rëndë, mediat italiane kanë zbardhur detaje të reja.
Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, konflikti dyshohet të ketë nisur mbrëmjen e së dielës në një lokal në Kremona, ku punonte ish-partnerja e 32-vjeçarit. Autori e pa të renë duke biseduar me 24-vjeçarin shqiptar, Nurian Dalipaj, mik i saj prej kohësh, si dhe me një person tjetër.
Mësohet se ai i kërkoi shqiptarit të dilte jashtë lokalit, ku fillimisht debatuan me fjalë dhe më pas u përleshën fizikisht. Pas ndërhyrjes së personave të pranishëm, 32-vjeçari u largua dhe u kthye në banesën e tij në Vescovato.
Pak kohë më vonë, sipas autoriteteve, Nurian Dalipaj shkoi pranë banesës së Miraglias së bashku me dy vëllezërit e tij. Dyshohet se 32-vjeçari doli jashtë me një thikë kuzhine dhe u kërkoi të largoheshin, por situata degradoi.
Gjatë konfliktit, Nurian Dalipaj u godit me thikë në qafë dhe humbi jetën pak më vonë në spital.
Vëllai i tij 20-vjeçar u plagos në bark dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Sipas mjekëve, gjendja e tij është e stabilizuar, por ai vijon të trajtohet në repartin e terapisë intensive.
Ngjarja ka tronditur komunitetin e vogël të Vescovatos, me rreth 4 mijë banorë. Miq të autorit të dyshuar kanë deklaruar për mediat italiane se konflikti kishte nisur prej kohësh dhe lidhej me një vajzë që kishte pasur lidhje me të dy të rinjtë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes vijojnë.






