Nga Mimoza Ibra
Qiraja mujore e një apartamenti sot në Tiranë të kushton afërsisht sa një pagë minimale. Në varësi të zonës, sipërfaqes apo arredimit, agjentët imobiliarë thonë se për qytetarët po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të gjejnë një apartament, vlera mujore e të cilit të jetë më pak se 50 mijë lekë.”
“Qiraja që kërkohet më shumë është 500 euro. Varet sipas zonave, qiratë që variojnë më shumë janë 600-700-800 euro, varet nga zona dhe varet nga investimi. Zonat më e shtrenjtë është zona afër qendrës, ku gjen apartamente të mëdha shumë të mira, stili “Penthouse”, ku qiraja kalon edhe 2-3 mijë euro. Pronat e përditshmërisë variojnë nga 500-800 euro. Ka kërkesë edhe për çmimet ekonomike, si 300-400 euro, por nuk gjejmë. Me 300 euro nuk gjen, edhe në Kamëz nuk gjen me 300 euro, flasim për apartamente të investuara mire”, thotë agjenti Ervin Demirxhiu.
“Zonat që konsiderohen më të shtrenjta janë zonat qendrore, ish-Blloku, Pazari i Ri, stadiumi “Air Albania”, Liqeni Artificial, ku kërkesat dhe facilitetet janë më të mëdha. Ndërsa zona më ekonomike janë zona më periferike, si Astiri, Fresku, Ali Demi, ku çmimet janë më të përballueshme për familjet që janë në kërkim të një qiraje. Për apartamentet standarde rezidenciale çmimet fillojnë nga 350-500 europ në zona më periferike dhe vijojnë deri në 2000 euro në zonat më elitare dhe që ofrojnë standarde të tjera. Gjithmonë varet nga cilësia e apartamentit dhe çfarë ai ofron”, thotë agjenti Eltmir Lala.
Agjentët thonë se në vjeshtë, tregu mund të regjistrojë një tjetër rritje të lehtë të qirave mujore.
“Çdo vit shikojmë që në muajin gusht ka një tendencë rritëse sepse shtohet edhe kërkesa për qira sepse rifillojnë të kërkojnë apartamentet në gusht, shtator dhe tetor. Shihet një trend rritës në këto periudha. Tani është bërë edhe konvertimi i monedhës nga euro në lek dhe mund të duket sikur është rritur qiraja, por është bërë rregullimi i kursit të këmbimit”, thotë Demirxhiu.
“Presim që në periudhën shtator-tetor, të ketë një rritje sezonale të kërkesës sepse vijnë studentët për fillimin e vitit akademik. Nuk presim një bum rritjesh, por varet nga raporti ofertë/kërkesë që tregu do të ketë në këto dy muaj”, thotë Lala.
Me qira sot në Tiranë jetojnë nga studentët, te çiftet e reja e deri te huajt që kanë zgjedhur të punojnë në kryeqytet. Kërkesa më e lartë prej tyre është për apartamente me tipologji 1+1, që janë edhe më të përballueshme në çmim.





