Partia Demokratike ka kërkuar zgjatjen e afatit të Komisionit për Reformën Territoriale, me qëllim vijimin e diskutimeve dhe zhvillimin e seancave të mëtejshme dëgjimore mes palëve.
Kërkesa u bë nga bashkëkryetari demokrat i këtij komisioni, Luçiano Boçi, i cili u shpreh se puna duhet të vijojë me dëgjesa të tjera përpara përfundimit të procesit.
“Puna duhet të vazhdojë në seanca dëgjimore”, deklaroi Boçi.
Ndërkohë, kërkesa u kundërshtua nga bashkëkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla, i cili e krahasoi atë me një udhëtar që ka humbur trenin dhe kërkon të hipë pasi ai është nisur.
“Kërkesa i ngjan kërkesës së një udhëtari që ka humbur trenin dhe kërkon të hipë në trenin që ka humbur para një jave. Ky është një proces që nuk mund të kthehet mbrapsht, pasi ky diskutim mund të ishte bërë në këtë sallë një javë më parë”, tha Balla.
Ai theksoi se komisioni e ka përfunduar mandatin dhe se diskutimet mund të vijojnë në forma të tjera, por jo përmes rikthimit të këtij mekanizmi.
“Sot jemi përgatitur për të dëgjuar gjetjet nga dy grupimet, mazhoranca dhe opozita. Kjo nuk do të thotë që sot miratohet reforma e re administrative-territoriale. Çdo deputet mund të vijë me propozimet e veta. Por ky komision nuk do të ringjallet më. E ka mbaruar mandatin e vet”, deklaroi Balla.
Sipas tij, opozita duhet të kishte marrë pjesë në mbledhjen e datës 16, ndërsa kërkoi shpjegime për mungesën e saj.
“Nëse do të ishit kaq seriozë, nuk do të kishit munguar në datën 16. Nuk kemi ende një arsye pse munguat. Treni ka ikur, ju e keni humbur, biletë tjetër nuk ka”, përfundoi Balla.
/vizionplus.tv





