Debati në Kuvend është shoqëruar me replika të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, pas deklaratave të Gazment Bardhit për masat e sigurisë dhe përplasjet jashtë Parlamentit.
“Ky Kuvend duhet të kërkojë që dhuna ndaj qytetarëve të ndalet menjëherë. Godina është rrethuar nga forca sigurie, a thua se qytetarët tanë na rrezikojnë jetën. Pa asnjë diskutim, Taulant, të rrezikojnë të të bëjnë pis kostumin me ndonjë vezë, e di se e ke të shtrenjtë. Por halli nuk është te protestuesit, por të verifikojë markën e kostumit tënd. Nuk justifikohet dhuna ndaj qytetarëve”, u shpreh Bardhi.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, iu përgjigj Bardhit duke ironizuar deklaratat e tij për frikën dhe masat e sigurisë.
“Hera e parë në histori që ti ke ardhur para meje në seancë, meqë folët për frikë. Kësaj radhe ma kalove, kishe ardhur që në 8. Të gjeta në kafe me Gonen. Tani sa i përket pjesës së kostumit, rritu sa të duash, as nuk e mbush as nuk e kënaq dot kostumin tim. Ju vuani nga sindroma e Stokholmit, ku i përdhunuari bie në dashuri me përdhunuesin. Do ti t’ia plotësosh kërkesat protestuesve? “Saliu në bug”, thonë protestuesit. Çoje Saliun në burg”, tha Balla.
Pas kësaj, kreu i PD-së, Sali Berisha, reagoi me tone të forta ndaj Ballës, duke e akuzuar atë për lidhje me “kartelat e drogës”.
“Parafolësi (Taulant Balla) është përfaqësuesi më i shëmtuar i karteleve të drogës, është shërbëtori më i shpifur i tyre. Parafolësi është njeriu që ka liruar dy terroristë që vendosën tritolin në shalën e biçikletës së Lulëzim Kullës. Është negociatori i pazarit të votave, por është gjithashtu personazhi i dokumentit të asaj që u quajt bundra, por bundra e vërtetë është parafolësi”, tha Berisha.
Ndërkohë kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i kërkoi Berishës të kishte kujdes me fjalorin.





