Mbi 200 instrumentistë nga banda dhe orkestra frymore të vendeve të ndryshme u bënë pjesë e edicionit të dytë të Air Fest – LuluFest, që po zhvillohet në qytetin e Korçës.
Festivali solli në qytet muzikantë nga Shqipëria, Italia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia e Veriut, duke e kthyer Korçën në një skenë të madhe të muzikës frymore.
Përgjatë dy ditëve zhvillohen parada festive në Bulevardin “Republika”, koncerte në zonën këmbësore dhe në Pazarin e Vjetër, si edhe ëorkshop-e artistike, duke i dhënë qytetit një atmosferë të veçantë kulturore.
Edhe këtë vit sipas drejtorit te festivali Ilir Kodhima aktiviteti ja ka dalë të sjell në qytetin më të madh të juglindjes artdashës të shumtë.
“Qyteti i Korçës e ka sjellë i pari muzikën e tunxhit. Ky është identiteti ynë. Çdo vit vijnë artistë të rinj që vizitojnë Korçën. Këta artistë përçojnë në qytetet nga vijnë një pjesë të përvojës së tyre dhe bëjnë një lloj reklame për vendin tonë. Bashkëpunimi midis trupave artistike është i rëndësishëm; vijnë rreth 200 artistë nga Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Maqedonia”, tha kornisti Ilir Kodhima.
Instrumentistet italian Nicola Di Cerbo dhe Giuseppe Bocci, thanë se “LuluFest” edhe për ta ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës frymore
“Në Korçë po, hera e parë por kam qenë në Tiranë para 4 vitesh. Jemi si në shtëpi, jeni të mrekullueshëm, keni zemrën si italianët. Një eksperiencë fantastike, mësim për artistët e rinj e mundësi për të vjetrit.”
“Vij nga Ascoli. Na pëlqen muzika shqiptare, kemi luajtur e më parë, jemi të lumtur që jemi në Korçë për të sjellë reportor të përbashkët. Bravo për këtë organizim.”
Përmbyllja e edicionit të dytë të LuluFest konfirmoi edhe një herë Korçën si një nga qendrat më të rëndësishme të muzikës frymore në rajon.
Përmes tingujve që bashkuan artistë dhe kultura të ndryshme, festivali jo vetëm i dha jetë qytetit, por shërbeu edhe si një urë bashkëpunimi mes vendeve pjesëmarrëse, duke promovuar vlerat artistike dhe turistike të Korçës përtej kufijve.





