Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Illegal trade”, në kuadër të të cilit janë kontrolluar 8 subjekte që ushtronin aktivitet në fushën e tregtimit të produkteve të markave luksoze.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve u konstatuan pajisje, veshje dhe aksesorë të markave luksoze, të dyshuara të kontrabanduara dhe pa dokumentacion shoqërues që provonte origjinën dhe zhdoganimin e tyre.
Në kuadër të operacionit u sekuestruan 16 aparate celularë, 10 njësi kompjuterike, një laptop, si dhe 11 çanta dhe veshje të markave luksoze.
Nga verifikimet e kryera rezultoi gjithashtu se disa prej subjekteve nuk deklaronin të ardhurat e siguruara nga shitjet në organet tatimore. Në njërin prej subjekteve u konstatuan edhe shitje pa kupon tatimor, për të cilin u vendos pezullimi i aktivitetit.
Si rezultat i veprimeve procedurale, nisi procedimi penal për 9 administratorë ose përfaqësues subjektesh, konkretisht shtetasit me inicialet Gj. H., N. R., S. S., A. D., B. D., A. L., A. L., K. Gj. dhe J. B.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim goditjen e paligjshmërive në fushën e tregtimit të produkteve të markave luksoze.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





