E hënë, 26 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

PD zgjodhi ekipin e ri drejtues, Berisha: Procesi më i thellë i ripërtëritjes së partisë që nga themelimi i saj

Tre ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme në Partinë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar procesin e zhvilluar të mërkurën, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm të ripërtëritjes së strukturave të partisë.

Në një bashkëbisedim online me qytetarët këtë të shtunë, Berisha tha se PD ka përfunduar institucionalizimin e plotë të forumeve të saj dhe se procesi është zhvilluar nën moton e ripërtëritjes.

Reklamë

“Ky proces u zhvillua në moton e ripërtëritjes së PD, jo vetëm në kuptimin e numrave, por edhe të proporcioneve deficitare në këtë parti”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se në Këshillin Kombëtar të PD, 60 për qind e anëtarëve tashmë janë të rinj dhe gra, ndërsa sipas tij, dy të tretat e kryesisë së zgjedhur janë figura të reja në këto role.

Reklamë

“Ky është procesi më i thellë i ripërtëritjes së PD pas themelimit të saj”, deklaroi Berisha, duke shtuar se nga 14 sekretarë të zgjedhur, vetëm tre janë të rizgjedhur.

Lideri demokrat u ndal edhe te përfaqësimi i diasporës, duke e cilësuar institucionalizimin e rolit të saj si një nga elementët e rinj të këtij procesi. Sipas tij, janë zgjedhur një nënkryetare partie dhe një sekretar për diasporën, ndërsa priten hapa të tjerë për rritjen e rolit të saj në jetën politike të PD-së.

Berisha falënderoi edhe kandidatët që nuk u zgjodhën në postet drejtuese, duke thënë se kontributi i tyre mbetet i rëndësishëm për partinë.

“Procesi i ripërtëritjes nuk ndalet dhe nuk do të ndalet”, deklaroi Berisha, duke shtuar se PD ka ende personalitete të tjera që janë të gatshme të kontribuojnë në strukturat e saj.

Zgjedhjet e brendshme të PD-së u zhvilluan të mërkurën, ku u konfirmuan në postet drejtuese Flamur Noka si sekretar i përgjithshëm, ndërsa Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj vijojnë si nënkryetarë. Partia shtoi gjithashtu numrin e nënkryetarëve, duke zgjedhur në këto poste edhe figura të reja.

Vazhdo të lexosh

Reklamë