Policia Kufitare e Vlorës zbardhi ngjarjen e ndodhur të premten pranë ishullit të Sazanit, ku rrezikuan të mbyteshin 10 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme.
Policia ka arrestuar një 43-vjeçar nga Afganistani, i cili u kap në flagrancë duke trafikuar emigrantët.
Me ndihmën e një shqiptari, që nuk është identifikuar ende nga autoritetet, ai kishte organizuar nga Greqia futjen në mënyrë të paligjshme në Shqipëri të këtyre shtetasve, nëpërmjet kufirit me shtetin grek.
Më pas, në Seman të Fierit, ai kishte marrë gomonen e lënë në dispozicion nga shtetasi shqiptar dhe do të transportonte drejt Italisë 10 emigrantët nga vendet e treta.
Por, në orët e para të mëngjesit të së premtes, Policia Kufitare e Vlorës mori një sinjal SOS sepse emigrantët rrezikonin të mbyteshin në det të hapur.
Në gomone, autoritetet gjetën dhe arrestuan 43-vjeçarin nga Afganistani.
Ndërsa emigrantët u transportuan fillimisht në zonën e Triportit në Vlorë, ku iu nënshtruan kontrolleve mjekësore paraprake.
Më pas u shoqëruan në polici, u morën në pyetje.
Autoritetet po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe kapur edhe shqiptarin e përfshirë në trafikun e klandestinëve.





