Diabeti po shfaqet gjithnjë e më shpesh si një problem serioz i shëndetit publik në Shqipëri. Sipas të dhënavë nga INSTAT gjatë vitit 2025 vdekjet nga sëmundjet endokrine u rritën me 15.3 % krahasuar me një vit më parë ku diabeti dhe komplikacionet e tij përbënin pjesën më të madhe të rasteve.
“Shifrat që kemi aktualisht për diabetin janë në kuadrin e një epidemie. Ajo që është më problematikja është se gati 40–50% e personave që e kanë diabetin nuk e dinë që e kanë.
Një nga faktorët kryesorë që po na shton numrin e rasteve është mbipesha dhe obeziteti. Është neglizhuar ecja, po shkojmë gjithnjë e më shumë drejt ushqimeve të procesuara dhe ushqimeve të shpejta.
Shumë i rëndësishëm është edhe faktori gjenetik”, thotë mjekja endokrinologe, Entela Puca.
I njohur edhe si “sëmundja e heshtur” diabeti shpesh zhvillohet pa simptoma ta dukshme në fazat e hershme.
“Duke thënë që është një vrasës i heshtur dhe se shumica e rasteve janë prezente pa shenja klinike, duhet patjetër të bëhet matja. Është shumë e thjeshtë matja e sheqerit.
Tharja e gojës, konsumimi i shtuar i ujit, shkuarja natën në tualet në rastet kur më parë nuk ka ndodhur, rënia në peshë, janë shenjat klasike të rritjes së nivelit të sheqerit”, sqaron mjekja Puca.
Ekspertët e shëndetit theksojnë se diagnostikimi i hërshëm, kontrollet e rregullta periodike si dhe një stil jetese i shëndetshëm mbeten mënyra më efektive në parandalimin e komplikacioneve të diabetit.
“40–50% e rasteve nuk e dinë që e kanë diabetin. Ne duhet të punojmë që këta persona të mos vijnë me komplikacione, sepse komplikacionet janë goxha madhore.
Diabeti është ndër shkaktarët kryesorë të verbërisë, rrit rrezikun për infarkte dhe shkakton probleme me veshkat. Sa më herët ta kapim, aq më shumë mundësi kemi të parandalojmë komplikacionet.
Trajtimi i duhur është njëra anë, por nga ana tjetër shumë të rëndësishëm janë edhe menaxhimi i stresit dhe aktiviteti fizik”, thotë mjekja.
Sipas mjekëve endokrinolog vitet e fundit diabeti po prek gjithnjë e më shumë moshat e reja./vizionplus.tv





