Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministra të kabinetit qeveritar dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, inspektuan këtë të mërkurë Qendrën e Komandës dhe Kontrollit të projektit Smart City, sistemi i ri i monitorimit që përdor Inteligjencën Artificiale për rritjen e sigurisë publike.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se sistemi do të shërbejë edhe për monitorimin e kufijve dhe luftën kundër kriminalitetit, ndërsa theksoi se projekti ka nisur të japë rezultatet e para konkrete.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se, pavarësisht vështirësive gjatë zbatimit, projekti tashmë ka hyrë në fazën e funksionimit dhe do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit.
“Nuk ka projekt që nuk ndesh në pengesa. Por sot jemi në një moment, ku projekti merr jetë dhe nuk ndalet më me shtrirjen e tij në gjithë territorin. Sistemi jep alarme për rrezik në shkolla, në ambiente publike, në komunitete. Për shembull, nëse shfaqet një thikë në ambient publik, sistemi e kap.
Historia e makinave që kryejnë akte kriminale dhe më pas gjenden të djegura do të jetë e pamundur, pasi sistemi e sheh makinën para se të ndalet dhe informon se ku gjendet. Po kështu, historia e dhimbshme e ndalimit të automjeteve në rrugë për kontrolle, që më pas shoqërohen edhe me shkëmbime indulgjencash mes policit dhe drejtuesit të automjetit, nuk ndodh më, për shkak se sistemi informon menjëherë qendrën kur një makinë që nuk ka paguar detyrimet del nga parkimi dhe futet në rrugë, dhe tregon ku ndodhet.
Kamerat e trupit do të jenë të lidhura me qendrën dhe do të jetë krejtësisht e pamundur që të bëhen lojëra. Kjo do të bëjë që problemi i raportit etik mes policit dhe qytetarit të adresohet në mënyrë sistemike, jo se nuk do të ndodhë më asgjë, por niveli i parandalimit do të rritet në mënyrë eksponenciale, niveli i rreziqeve do të ulet dhe zbulueshmëria e shkeljeve do të rritet po ashtu. Shpresojmë që në 12 muajt e ardhshëm e gjithë Shqipëria të jetë live në monitorimin e rendit dhe të sigurisë publike. Do të punojmë për të ndërthurur atë që ishte dikur komisariati digjital me sistemin“, tha Rama
/vizionplus.tv





