Policia kontrolle për zhurmat në Shëngjin, verifikohen subjektet gjatë sezonit turistik
Policia e Lezhës ka nisur kontrolle në zonën turistike të Shëngjinit për monitorimin e nivelit të zhurmave dhe respektimin e rregullave gjatë sezonit veror.
Në kuadër të masave për garantimin e sigurisë publike dhe ruajtjen e qetësisë për banorët dhe pushuesit, strukturat e Policisë së Lezhës kanë zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në subjekte dhe ambiente që gjenerojnë zhurmë nga muzika.
Para nisjes së kontrolleve, policia ka zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, duke i sensibilizuar për respektimin e niveleve të lejuara të zhurmës dhe rregullave gjatë sezonit turistik.
Gjatë verifikimeve në terren, me anë të matësve të zhurmës janë kontrolluar ambiente të hapura dhe të mbyllura në zonën e Shëngjinit. Sipas Policisë, matjet e kryera kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar, në përputhje me legjislacionin për administrimin e zhurmës në mjedis.
Gjithashtu, efektivët kanë kontrolluar respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura në zona të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në orën 24:00.
Policia e Lezhës bën me dije se monitorimet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim krijimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt për qytetarët dhe vizitorët.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të denoncojnë çdo rast shkeljeje, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe zbatim të ligjit.
/vizionplus.tv





