Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka vendosur të mos rikandidojë më për postin e drejtuesit të Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PD-së, të cilin e ka mbajtur për tre mandate radhazi.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, pak ditë përpara mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Kaso bëri të ditur se pas 12 vitesh në këtë detyrë do të fokusohet në përgjegjësitë e tij si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, anëtar i Kryesisë së PD-së dhe nënkryetar i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale.
“Pas 12 vitesh dhe 3 mandatesh të njëpasnjëshme në drejtimin e Sekretariatit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të Partisë Demokratike, nuk do të rikandidoj përsëri për të njëjtin pozicion, pasi më duhet të përkushtohem plotësisht në detyrat e deputetit, anëtarit të Kryesisë dhe nënkryetarit të Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, shkroi Kaso.
Deputeti demokrat u shpreh se gjatë periudhës së drejtimit të këtij sekretariati ka përballuar sfida të shumta politike dhe zgjedhore, duke veçuar si betejën më të rëndësishme rikthimin e simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike te demokratët.
“Betejën më të vështirë dhe më të rëndësishme, atë të rikthimit tek demokratët të simboleve dhe flamurit të Partisë Demokratike, ne e fituam”, deklaroi Kaso, duke falënderuar anëtarët dhe simpatizantët e PD-së për mbështetjen e dhënë.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Sekretarit të Përgjithshëm dhe kolegëve të tij për besimin dhe bashkëpunimin gjatë këtyre viteve.
Vendimi i Kasos vjen në prag të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku pritet të diskutohen dhe zgjidhen drejtuesit e strukturave të reja të partisë.





