Policia e Shtetit ka arrestuar dhe proceduar 29 persona të dyshuar për zjarrvënie gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet dhe hetimet vijojnë në të gjithë vendin për identifikimin e personave që ndezin zjarre, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe toke, bimësi, pemëtari, prona dhe duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia ka arrestuar në flagrancë dy persona dhe ka proceduar penalisht një tjetër, të dyshuar për tre raste zjarrvëniesh në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër.
Në Kavajë, shërbimet e policisë arrestuan një 51-vjeçar nga fshati Sterbeg, pasi zjarri i ndezur në tokën e tij shkaktoi dëmtime në kullota dhe dogji rreth 300 pemë, mes tyre agrume dhe ullinj.
Në Vorë u arrestua një 43-vjeçar nga fshati Gjokaj, i dyshuar se kishte shkaktuar zjarr në një sipërfaqe toke në pronësi të një personi tjetër, ku u dogjën edhe pemë frutore.
Ndërkohë, në Mallakastër nisi procedimi penal ndaj një 39-vjeçari nga fshati Levan, pasi gjatë tërheqjes me karrotrec të një automjeti të aksidentuar, shkëndijat elektrike dyshohet se shkaktuan zjarr që dogji dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.
Materialet procedurale janë dërguar në prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit ka përsëritur thirrjen ndaj qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të kullotave që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë. Sipas autoriteteve, djegia e mbeturinave në toka bujqësore apo kullota është një praktikë e rrezikshme dhe e dënueshme me ligj, pasi mund të çojë në përhapje të pakontrolluar të flakëve.
Qytetarët janë ftuar të denoncojnë çdo rast të tentativës për zjarrvënie, ndërsa policia garanton reagim të menjëhershëm dhe ruajtjen e anonimatit të denoncuesve.
/vizionplus.tv





