Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 64-vjeçarin Shtjefën Ziçi, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Marte Ziçi. Në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, ai kyçi gojën para togave të zeza, duke mos folur mbi krimin e kryer.
Në seancën e drejtuar nga gjyqtarja Zamira Lila, organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurorja Albulena Koliçi i qëndroi kërkesës për arrest me burg. Ndërkohë pala mbrojtëse përmes avokatit Agim Martini, kërkoi që ndaj klientit të tij të kryhet një ekspertim psikiatrik.
Sipas mbrojtjes, deri në momentin e ngjarjes ai ka qenë një familjar i rregullt, së bashku me bashkëshorten kanë rritur dy fëmijë dhe kanë pasur një marrëdhënie normale, pa konflikte të njohura, urdhra mbrojtjeje apo probleme si çift.
Sipas avokatit, ngjarja ka ndodhur në rrethana të pakuptueshme dhe për këtë arsye kërkohet vlerësimi i gjendjes psikike të të pandehurit 64 vjeçar. Në mbyllje të seancës trupa gjykuese pranoi kërkesat për vlerësim psikik dhe la në fuqi masën e arrestit me burg të kërkuar nga prokuroria.
Të vetmet fjalë që ka folur autori i dyshuar, janë ato në polici. Në gjendje shoku, ai ka thënë vetëm: “Kam vrarë gruan time, çfarë kam bërë?”. Gjatë zhvillimit të seancës, jashtë gjykatës nuk u panë të afërm të tij, duke e lënë të vetëm Ziçin. Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës.
Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj bashkëshortes në pragun e shtëpisë. Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra. Grupi hetimor ka dyshime se 64-vjeçari e vrau bashkëshorten për motive xhelozie.
Sipas hetimeve, ai i ka kërkuar telefonin celular, çka ka sjellë një debat mes tyre. Pak çaste më vonë, është futur në banesë, ka marrë çiften që e posedonte me leje dhe ka qëlluar dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen . Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vau Dejës.





